Në stadiumin “Air Albania”, më datë 10 dhjetor, 2022, hapi siparin ngjarja më e bukur sportive e vitit, me prezantimin e 700 ekipeve sportive të Volejbollit dhe Basketbollit nga 61 qytete të Shqipërisë.
Mbi 10 000 të rinj performuan në ceremoninë e hapjes së projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”, ku kryefjala ishte parakalimi i Ekipeve Sportive dhe Betimi Olimpik i përfaqësuesve të ekipeve nga e gjithë Shqipëria, në formën e një spektakli të vërtetë të Vlerave Olimpike, që ofroi demostrime sportive dhe performancë artistike.
Ky aktivitet bëri bashkë të gjithë komunitetin sportiv, ndërsa përshëndetën ne fjalimet e tyre Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi, Ministrja e Fëmijëve dhe Rinisë, znj. Bora Muzhaqi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, si dhe përfaqësuesi i UNICEF, z. Roberto de Bernardi.
KOKSH falënderon stafin e tij të palodhur për punën e palodhur dhe përkushtimin, falënderon të gjithë pjesëmarrësit të cilët bënë të mundur realizimin e kësaj ceremonie të bukur e të rëndësishme për të rinjtë e sportit shqiptar, falënderon koordinatorët, mësuesit e nxënësit nga e gjithë Shqipëria për pasionin, durimin, përkushtimin dhe dëshirën e madhe që sporti në Shqipëri më në fund të ketë fokusin e duhur, si dhe falënderon edhe ata të cilët nuk janë në foto por të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ceremoninë e hapjes së “Ekipeve Sportive në Shkolla”.
Falënderim i veçantë për presidentin, z. Fidel Ylli dhe sekretarin e përgjithshëm, z. Gerti Shima, për përkushtimin dhe këmbënguljen që sporti të ri-kthehet në qendër të vëmendjes.
Tani na pret një rrugë e gjatë suksesi e dedikimi në këtë projekt madhor. Të gjithë sëbashku!