Presidenti i KOKSH-it, z. Fidel Ylli në kuadër të projektit “Ekipet Sportive 2022”, zhvilloi në Korçë një takim me kryetarët e bashkive të qarkut, si dhe trajnerët, të cilët do të drejtojnë skuadrat e basketbollit e volejbollit.
Në takim ishin edhe presidenti i federatës së volejbollit, z. Erlind Pëllumbi, zëvendësministri i Arsimit dhe Sporteve, z. Endrit inHoxha, znj. Alketa Doçi, këshilltarja e ministres së Rinisë dhe Fëmijëve, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik, z. Gerti Shima dhe zyrtarët e projektit “Ekipet Sportive 2022”, kryesuar nga drejtori Reinaldo Krisafi.
Në fjalën e tij, kreu i KOKSH-it tha se zgjodhi Korçën për të rishpjeguar rëndësinë e projektit, sepse qyteti është shembulli për t’u marrë në sport. Ylli pranoi se kërkon që të ndërtojë një strukturë perfekte që të shihen frutet e punës në fund të vitit të parë të projektit.
Kryetarët e bashkive Korçë dhe Maliq, z. Sotiraq Filo dhe z. Gëzim Topçiu e cilësuan projektin si ringjallje për sportin dhe premtuan mbështetje për këtë iniciativë të KOKSH-it.