Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli është duke zhvilluar një vizitë 2-ditore në Malmo të Suedisë me ftesë të z. Jesper Edwardzon nga “Padel United”.
Vizita zhvillohet pas ftesës që Edwardzon i bëri kreut të KOKSH menjëherë pas bisedave të suksesshme në Tiranë, ku miku suedez takoi të gjithë personalitetet, presidentin e KOKSH, kryeministrin Rama, kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe ministren e Arsimit e Sportit.
Qëllimi i vizitës është zhvillimi dhe fuqizimi i padelit shqiptar, mundësia e investimit të qendrave të këtij sporti në vendin tonë, bashkëpunimi mes dy federatave respektive si dhe organizimi i një turi ndërkombëtar në Tiranë.
Presidenti i KOKSH falënderoi mikpritësin dhe tha se javën e ardhshme në Shqipëri do të vijë presidenti i Federatës Botërore të Padelit.