Së bashku me sekretarin e përgjithshëm të KOKSH, zëvendësministrin e Arsimit dhe Sporteve, kampionëve të peshëngritjes, mundjes dhe sportistëve të kryeqytetit, kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj dha lajmin se Tirana është përzgjedhur “Qyteti Europian i Sportit për vitin 2023″.
Veliaj falënderoi të gjithë, teksa vlerësoi punën e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar:
“Jam shumë i lumtur që KOKSH është këtu. Një organizatë deri dje e fjetur, deri dje e lodhur, deri dje që nuk zgjohej dot, që nuk mbante dot ritmin. Më vjen mirë që sot me punën e Fidelit dhe me punën e gjithë skuadrës fantastike të Komitetit Olimpik Shqiptar, sot shumica e sporteve, përjashto disa problematike, por shumica e sporteve që janë pjesë e Komitetit Olimpik, janë në nivelet më të larta. Dhe për një vend të vogël që ka prodhuar kampionë Europe, kampionë Bote, kampionë Ballkani, është edhe një kompliment për punën fantastike që ka bërë Komiteti Olimpik”.
Në event folën edhe sekretari i përgjithshëm i KOKSH, z. Gerti Shima, zëvendësiministri i sporteve, z. Endrit Hoxha, presidentët e atletikës dhe peshëngritjes, z. Gjergj Ruli dhe z. Elez Gjoza si dhe figura të tjera të sportit.