Skiatorja me shtetësi shqiptare, znj. Lara Colturi e shoqëruar nga trajneria personale, znj. Daniela Ceccarelli dhe menaxheri, z. Andrea Cappelletti vizituan zyrat e Komitetit Olimpik dhe zhvilluan një takim me presidentin, z. Fidel Ylli.
Të pranishëm ishin edhe zyrtarë të KOKSH dhe të Federatës Shqiptare të Skive.
Kreu i Komitetit Olimpik përgëzoi Larën dhe stafin e saj për paraqitjet e fundit si dhe i uroi më të mirat për aventurën e saj në Kupën e Botës.
Presidenti njohu skiatoren me arritjet e KOKSH si dhe i tregoi platformën “SportALB” ku jepen direkt garat e sportistëve shqiptarë nga çdo cep i Botës.
Në maj, adoleshentja e lindur në Itali vendosi të merrte shtetësinë shqiptare dhe të përfaqësonte kuqezinjtë. Ajo do të jetë skiatorja e parë femër që do të përfaqësojë Shqipërinë në garat e nivelit të lartë.
Nën flamurin shqiptar, Lara fitoi 6 gara gjatë këtij viti të Kupës së Amerikës së Jugut në Kili dhe Argjentinë për të rrëmbyer kreun e klasifikimit, duke mbledhur pikët që i nevojiteshin për të kaluar në Kupën e Botës “FIS”.
Colturi është vajza e Daniela Ceccarellit, e cila në “Salt Lake City 2002” fitoi për Italinë medaljen e artë në “Super G”.






