Asambleja e 27-të e Përgjithshme e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar zgjodhi katër anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv, tre anëtarët themelues të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv (KAS), miratoi ndryshimin e logo-s së KOKSH, si dhe nderoi dy personalitete, Gazmend Çaçi dhe Gjergj Ruli. Asamblenë e hapi presidenti, z. Fidel Ylli, i cili i bëri një paraqitje të të gjithë punës së Komitetit Olimpik nga takimi i fundit me familjen olimpike, si dhe renditi synimet e institucionit për vitin 2023. Më pas u vijua me miratimin e logos së re të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Gerti Shima dhe Luiza Gega patën nderin që të vlerësojnë me “Urdhrin Olimpik” dy sportistë të mëdhenj në basketboll dhe atletikë, si Gazmend Çaçi dhe Gjergj Ruli. Asambleja me 58 votues, më pas zgjodhi tre anëtarët themelues të KAS, të cilët janë: Skënder Kaçupi (47 vota pro) – i propozuar nga komisioni i sportistëve, Eralda Cani (50 vota pro) – e propozuar nga Federatat Sportive dhe Marjana Semini (46 vota) – e cila vinte si kandidaturë nga thirrja publike. Në fund të asamblesë u zgjodhën edhe katër anëtarë të KE me mandat deri në vitin 2025, të cilët janë: Alfred Tahiraj (37 vota), Dritan Shakohoxha (44 vota), Julinda Dhame (49 vota) dhe Tonin Binoshaj (41 vota). Asambleja Zgjedhore për nga organizimi, mbarëvajtja dhe transparenca ishte model, e pakontestuar nga garuesit dhe është ndjekur “live” nga çdo cep i Botës nëpërmjet platformës “SportALB”.