Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli i dërgoi një letër falenderimi presidentit të IOC, z. Thomas Bach për mbështetjen e tij.
“Në emër të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, më lejoni të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për videomesazhin mbi Lëvizjen Olimpike dhe komunitetin sportiv në Shqipëri, me rastin e ceremonisë së hapjes së projektit “Ekipet sportive në shkolla”.
Fjalët tuaja motivuese dhe fakti që u bëtë pjesë e një momenti historik për sportin në Shqipëri, i mbushën të gjithë me frymëzim dhe gëzim. Kurioziteti dhe heshtja gjatë fjalimit tuaj, duartrokitjet emocionuese si dhe fytyrat e buzëqeshura në fund, ishin dëshmi e vërtetë se sa e rëndësishme ishte për të gjithë të dëgjonin mesazhin tuaj. Këshilla juaj për të qëndruar bashkë për të arritur më shumë, jo vetëm për studentët, por dhe të gjitha autoritetet, ishte shembulli më i mirë se si një ekip i madh mund të udhëheqë sportet në nivelet më të larta.
Rreth 22,000 pjesëmarrës, 10,000 prej të cilëve ishin studentë të rinj të cilët janë pjesë e projektit, morën pjesë në këtë ceremoni. Parakalimi i ekipeve sportive dhe betimi olimpik i bërë nga përfaqësues të ekipeve nga të gjitha bashkitë, ishte një moment kulminant i ceremonisë, ishte një shfaqje e vërtetë e vlerave olimpike, në një ceremoni e cila shfaqi demonstrime sportive në gjimnastikë dhe taekwondo, shfaqje të fëmijëve në vallëzim dhe gjimnastikë, ashtu si dhe shfaqje artistike me kostume popullore.
Evenimenti ishte i pari i këtij lloji në historinë e vendit tonë të vogël dhe u mundësua me përpjekjet e përbashkëta të të gjithë nxënësve, mësuesve, kryeministrit, zotit Edi Rama, drejtuesve dhe koordinatorëve të sportit, kryetarëve të 61 bashkive, ministria, të ftuar, vullnetarë dhe stafi i KOKSH.
Ceremonia u transmetua drejtpërdrejt në kanalin televiziv të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqipëtar “SportALB”, ndaj kam kënaqësinë të ndaj me ju momentet kryesore të ceremonisë.
Edhe një herë, faleminderit shumë për motivimin dhe mbështetjen“.
