Në kuadër të projektit “Ekipet Sportive 2022”, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, z. Erlind Pëllumbi firmosën Memorandumin e Bashkëpunimit, për të bërë të mundur nisjen e këtij projekti.
Ky projekt do të rrisë cilësinë e sportit të volejbollit në të gjitha shkollat e Shqipërisë, ato 9-vjeçare, gjimnaze dhe universitete.
Në firmosjen e protokoll-marrëveshjes ndodheshin gjithashtu Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, z. Gerti Shima dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit, z. Albens Vokopola.
Në fjalën e tij, Presidenti Fidel Ylli bëri me dije se Federata e Volejbollit do të organizojë gjithë aktivitetet e ekipeve sportive të volejbollit në shkolla. Më tej, Presidenti i KOKSH njoftoi se ky projekt do të ketë një kohëzgjatje 1-vjeçare dhe do të startojë në datën 20 maj në qytetin e Tropojës.
Ndërsa, Presidenti i FSHV, njëkohësisht dhe zv/Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Erlind Pëllumbi e konsideroi këtë projekt, si një sfide të rëndësishmë për zhvillimin e mëtejshëm të sportit të volejbollit në ambientet shkollore.
I gjithë takimi i firmosjes së memorandumit u bë i mundur të transmetohej në kohë reale, në faqen e “Facebook” dhe mediave sociale të KOKSH.