“Vllaznia” dhe “Skënderbeu” triumfojnë në “Kupën e Shqipërisë”

10 Maj, 2022

Pas 30 vitesh mungesë në qytetin e Shkodrës, ditën e sotme u zhvillua “Kupa e Shqipërisë”, për sportin e atletikës.

Përveç sportistëve tanë elitarë morën pjesë dhe atletët ukrainas, të cilët garuan për skuadrën e “Elbasanit”, qyteti ku prej më shumë se një muaji këta sportistë po qëndrojnë.

Gjatë garave të zhvilluara në stadiumin “Loro Boriçi” të pranishëm ishin Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli, zv/ministri i Arsimit dhe Sportit, z. Endrit Hoxha, Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, z. Gerti Shima, Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, z. Gjergj Ruli dhe Sekretari i Përgjithshëm i po kësaj federate, z. Nikolin Dionisi.

Atletët tanë elitarë nuk zhgënjyen me Luiza Gegën, e cila fitoi garën e 5000m, për femra, duke arritur të vendoste një rekord të ri kombëtar me kohën, 15’22”18 (15 minuta e 22 sekonda e 18 të qindëtat). Vlen për t’u përmendur se dhe rekordi i mëparshëm ishte vënë po nga Gega me kohën 15’36”62, tre vite më parë, në qytetin e Shkupit.

Paraqitje spektakolare bëri dhe talenti i atletikës shkodrane, i riu Franko Burraj, i cili me kohën 21”47 (21 sekonda e 47 të qindëtat) ishte vetëm 2 të qindëtat larg barazimit të rekordit tonë kombëtar.

Performancë të mirë bëri dhe Izmir Smajlaj, ku doli kampion në disiplinën e kërcimit së gjati, me distancën 7,87m, edhe pse në provën e tij të fundit iu desh të largohej më herët nga gara pas një dëmtimi të pësuar në gjurin e majtë.

Në klasifikim ekipor për meshkuj u shpall kampion ekipi i “Vllaznisë” me 184 pikë, 84 më shumë se vendi i dytë “Skënderbeu”, ndërsa në kategorinë e femrave kampion u shpall ekipi i “Skënderbeut”, me një diferencë të ngushtë prej 5 pikësh me “Tiranën” e vendit të dytë.

“Shkodra është djepi i sportit dhe ka prodhuar sportistë të merituar, në çdo disiplinë”,- me këto fjalë e nisi prononcimin e tij për mediat, Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli.

Gjithashtu një risi ishte dhe faqja e “YouTube” e KOKSH, e cila për 3 orë e gjysëm transmetoi live të gjitha garat e të gjitha disiplinave, me kualitet të lartë.

BËHU NJË PARTNER OLIMPIK

RRETH KOKSH

logo-footer-widget-png-new22

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që nga viti 1959. KOKSH përfaqëson vlerat Olimpike në Shqipëri dhe është ndërmjetësi kryesor me komitetet e tjera Olimpike.

Na ndiqni në mediat tona sociale:
#NOCAlbania #KOKSH #TeamAlbania

2022 © Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar  |  Powered by WEBART.AL