PARANDALOJMË DHUNËN NËPËRMJET SPORTIT

19 Mars, 2013

PARANDALOJMË  DHUNËN nëpërmjet SPORTIT, ishte kjo tema e aktivitetit që KOKSH organizoi në qytetin e Lezhës me datë 12 mars 2013. Bashkëpunëtorë ishin Drejtoria Arsimore, Qëndra Kulturore e Fëmijëve.

Aktiviteti u zhvillua në kompleksion e shkollave të mesme në qëndër të qytetit dhe morën pjesë katër shkolla dhe gjithashtu nxënës të shkollave të tjera të qytetit që ishin pjesë e krosit. Në total ishin të pranishëm rreth 3000 nxënës të të gjitha shkollave të qytetit.

Aktiviteti u përshëndet vecanërisht nga Kryetari i Bashkisë Lezhë z.Viktor Tushaj i cili u shpreh shumë i kënaqur nga një bashkëpunim i tillë i KOKSH me Drejtorinë Arsimore dhe Drejtoritë e shkollave, sepse është momenti tha ai që pas ngritjes së komplekseve të reja sportive të mos flasim më për dhunë por vetëm sport.

Aktiviteti përfshinte një kros masiv me pjesëmarrjen e të gjitha shkollave, kros i cili përfundonte në ambjentet e shkollës Kolin Gjoka. Të gjithë nxënësit ishin veshur me bluzën e aktivitetit dhe mbanin në të sloganin Parandalojmë Dhunën nëpërmjet Sportit.

Aktiviteti zgjati rreth dy orë dhe pati ndërthurje të elementëve olimpikë të cilët përcollën shpirtin olimpik për të nxjerrë në pak vlerat olimpike të ekselencës, miqësisë dhe  respektit.  Në aktivitetet e zhvilluara nxënësit treguan se e respektojnë kundërshtarin dhe bëjnë lojë të ndershme. Elementët Olimpike  si ishte krijimi i rrathëve olimpikë, ndezja e pishtarit apo, bërja e betimit olimpik nga një prej sportisteve kampjone të shkollës , u ndërthurën me një sërë elementësh popullor dhe tradicional te zonës, si valle popullore dhe lojëra popullore.

Pati demostrime të karatesë nga grupi i sportistëve dhe fëmijëve të qytetit të Lezhës dhe në fund rreth 100 vajza të veshura me bluza të bardha shkruan me trupat e tyre tabllonë JO DHUNË.

Aktiviteti u mbyll me grupin e fëmijëve parashkollorë të cilët u bënë pjesë e tij duke kërcyer dhe kënduar me tullumbacat shumëngjyrës në duar.

Në vazhdim ekipet e basketbollit dhe volejbollit të shkollës për djem dhe vajza zhvilluan ndeshjet të shoqëruar nga tifozët dhe entuziazmi i shokëve të tyre.

Ky aktivitet u shoqërua gjatë gjithë kohë nga prezenca e përfaqësuesve të partnerit tonë Vodafone Albania të cilët bënë promocionin e shërbimeve të tyre duke dhuruar numra falas për nxënësit e shkollës. Falenderojmë Vodafonë që është gjithnjë i pranishëm në aktivitete tona.

  

BËHU NJË PARTNER OLIMPIK

RRETH KOKSH

logo-footer-widget-png-new22

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që nga viti 1959. KOKSH përfaqëson vlerat Olimpike në Shqipëri dhe është ndërmjetësi kryesor me komitetet e tjera Olimpike.

Na ndiqni në mediat tona sociale:
#NOCAlbania #KOKSH #TeamAlbania

2022 © Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar  |  Powered by WEBART.AL