Në zyrat e KOKSH, Presidenti i tij Z. Viron Bezhani dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive Z. Shkëlqim Memaj dhanë një konferencë për shtyp, në prezencë të 14 skiatorëve të rinj dhe 4 trajnerëve të cilët nisen sot, 1 Nëntor 2013, për një periudhë trajnimi intensive 2-javore në Cervinia, Itali. Këta sportistë të rinj do të jenë nën përkujdesjen dhe do të stërviten nga sportisti Olimpist shqiptar, Erjon Tola, përfaqësues i Shqipërisë në 2 Lojërat e fundit Olimpike Dimërore, si dhe pregatitet të marrë pjesë në Lojërat e ardhshme Olimpike “Sochi 2014”. Ky trajnim është në vazhdimësi të programit të Federatës Botërore të Skive dhe partneritetit të KOKSH, pasi një fazë e parë trajnuese po në të njëjtën qendër stërvitore në Cervinia, u zhvillua në Nëntor 2012. KOKSH sic edhe në fazën e parë ka siguruar biletat e udhëtimit për sportistët e rinj dhe trajnerët që po trajnohen nën këtë program, ndërsa qëndrimi, ushqimi dhe logjistika janë mbuluar financiarisht nga Federata Botërore e Skive.
Në fjalën e tij z. Bezhani theksoi rëndësinë e këtij projekti të mbështetur financiarisht edhe nga KOKSH, për zhvillimin e talenteve të reja, si baza e zhvillimit të sportit cilësor shqiptar në të ardhmen, sidomos në sportin e skive dhe atyre dimërore në përgjithësi, të cilave u mungon infrakstruktura përkatëse, gjë që pengon identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në sportet dimërore. Gjithashtu, z. Bezhani vuri në dukje përparësinë që i jep KOKSH programeve të zhvillimit të talenteve të reja, dhe garantoi vazhdimësinë e iniciativave të tilla edhe në sporte të tjera, si një investim në vlera dhe cilësi, duke u krijuar mundësi sportistëve premtues të stërviten në kushte optimale në qendra trajnimi të një cilësie të lartë. Edhe Z. Memaj e përshëndeti këtë nismë dhe falenderoi KOKSH për bashkëpunimin e qëndrueshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe shprehu gaditshmërinë e FSHS për të mbështetur dhe krijuar mundësi për sportistët e rinj dhe ata cilësore, që ata të stërviten optimalisht, për të përmbushur objektiva të tilla si kualifikim, pjesëmarje dhe rezultate pozitive, në aktivitete të rëndësishme Olimpike si : EYOF Dimëror, Lojëra Olimpike Rinore Dimërore dhe Lojëra Olimpike të ardhshme Dimërore.