Statuti i KOKSH merr njohjen zyrtare te Ministrise se Arsimit dhe Sportit

10 Nëntor, 2013

Ministrja Nikolla firmos Statutin e KOKSH dhe marrëveshjen e bashkëpunimit me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj.Lindita Nikolla, ditën e Premte, datë 8 Nëntor 2013, në mjediset e MAS zhvilloi një takimim me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH, që kryesohej nga presidenti Viron Bezhani, zv.presidenti Gjergj Ruli dhe Sekretari i Përgjithshëm Stavri Bello

Një takim që më shumë se zyrtar u kthye në një bisedë të ngrohtë dhe ku palët shprehën mendimet e tyre për zhvillimin e sportit, daljen nga kriza dhe gjetjen e një rrugë të përbashkët.

Përveç Statutit, u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi midis MAS-it dhe KOKSH-it, që shtrihet edhe më gjerë, në një bashkëpunim dypalësh afatgjatë. Ministrja Nikolla premtoi mbështetje maksimale për sportin dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. “Ne do të realizojmë shumë projekte së bashku dhe ju premtoj se situata do të ndryshojë. Do të punojmë sipas ligjeve dhe rregullave, siç edhe sporti funksionon sipas rregullave. Aktualisht po punojmë edhe për ngritjen e një strukture të sportit”, tha Ministrja Lindita Nikolla.

Pothuajse të gjithë anëtarët e KOKSH-it të pranishëm në këtë takim shprehën mendimet e tyre rreth problematikave të sportit, çfarë është bërë dhe se çfarë duhet bërë në të ardhmen, duke nisur nga financimi, ligji për sportin, terrenet sportive, kohështrirja më e madhe e sportit në shkolla, afrimi i rinisë me sportin etj, në shërbim të rinisë, për të krijuar më shumë masivitet e më pas edhe cilësi. Ministrja Nikolla pohoi se qeveria do të shohë KOKSH-in si një partner, me të cilin do të bashkëpunojë gjatë, në të mirën e sportit shqiptar.

MAS-KOKSH

Fjala e presidentit të KOKSH, Viron Bezhani

E nderuar zonja Ministre e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla

Jam i lumtur dhe njëkohësisht krenar që sot jam në postin e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, në një ditë të veçantë për ne dhe sportin shqiptar. Sot, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ne sjellim një risi në sportin shqiptar, frymën e bashkëpunimit dhe respektit reciprok, që nis me firmosjen e statutit të KOKSH, duke mbajtur një nga premtimet kur u zgjodha në këtë post.E para është firmosja e statutit të KOKSH, një statut i mbajtur peng nga qeveritarët e ndryshëm , që nuk na shihnin si partnerë në punën për zhvillimin e sportit, por si rivalë. Jo vetëm do të firmosim statutin tonë por për KOKSH dhe qeverinë hapet sot një horizont i ri bashkëpunimi, që uroj të jetë sa më jetëgjatë.
Dhe nga kjo lind bashkëpunimi i ngushtë që KOKSH do të ketë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, pasi po firmosim një marrëveshje shumë të rëndësishme bashkëpunimi për spotin shqiptar, për zhvillimin e tij. Të dyja këto institucione kanë si qëllim të përbashkët vendosjen e një bashkëpunimi reciprok në fusha me interes kombëtar për zhvillimin e sportit dhe Lëvizjes Olimpike në Shqipëri.

Si KOKSH ashtu dhe Ministria kërkojnë që sporti të bëjë një hap cilësor përpara dhe kjo kërkon një promovim të gjithëanshëm të sportit dhe vlerave të tij.

Kjo është një marrëveshje që ka në thelb edukimin e fëmijëve dhe rinisë me edukatën sportive, për t’i afruar ata më shumë me terrenet sportive dhe për t’I patur më të shëndetshëm. Vendosja e sportit pranë arsimit është një mundësi e mirë, për të edukuar brezin e ri me frymën e respektit dhe bashkëpunimit.
Ndaj sot, më shumë se kurrë lypet nevoja për të qenë të bashkuar, për të përballuar së bashku problemet, për ringritjen e sportit dhe zhvillimin e tij në shkolla, kjo edhe falë mbështetjes tuaj Zonja Ministre. Ju na hapët dritën jeshile, ndërkohë që për vite me radhë na është mbyllur edhe dera nga drejtuesit e sportit në qeveri.
I rëndësishëm është fakti që sporti sot të vlerësohet dhe shihet me prioritet nga të gjithë, pasi pa sport nuk ka edukim dhe pa edukim nuk do të kemi një rini të shëndetshme.

Ju faleminderit

BËHU NJË PARTNER OLIMPIK

RRETH KOKSH

logo-footer-widget-png-new22

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që nga viti 1959. KOKSH përfaqëson vlerat Olimpike në Shqipëri dhe është ndërmjetësi kryesor me komitetet e tjera Olimpike.

Na ndiqni në mediat tona sociale:
#NOCAlbania #KOKSH #TeamAlbania

2022 © Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar  |  Powered by WEBART.AL