Në selinë e KOKSH, presidenti, z. Fidel Ylli, priti përfaqësuesin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe zyrtarë të Kryqit të Kuq Shqiptar. Të pranishëm në takim ishin zëvendësministri i sporteve, z. Endrit Hoxha dhe sekretari i përgjithshëm i KOKSH, z. Gerti Shima.
Diskutimi ishte në vazhdim të bisedës që kreu i KOKSH kish bërë kohë më parë me presidentin e Komitetit Olimpik Italian.
Z. Ylli u pati kërkuar drejtuesve të CONI, që këtë risi të telemjekësisë ta aplikonte edhe Shqipëria, duke nisur nga projekti “Ekipet Sportive 2022” e deri te sporti profesionist.
Përfaqësuesi i Kryqit të Kuq i paraqiti drejtuesve të KOKSH projektin “We Care”, me një pajisje që mbahet katër orë në trup, projekt i cili po testohet në Itali, duke ofruar mundësinë që edhe Shqipëria të bëhet pjesë e telemjekësisë.



