Presidenti, z. Fidel Ylli, priti në ambientet e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Dr. Michal Rynkowskin, drejtor i anti-dopingut në Poloni dhe njëkohësisht i dërguari i WADA-s në Shqipëri. I pranishëm ishte edhe sekretari i përgjithshëm, z. Gerti Shima.
Zyrtari i anti-dopingut shoqërohej nga zëvendësministri i Arsimit dhe Sporteve, z. Endrit Hoxha, si dhe drejtuesit e anti-dopingut shqiptar.
Kreu i KOKSH i shpalosi të dërguarit të WADA-s vizionin e Komitetit Olimpik: “Sport i pastër dhe pa doping”.
Z. Ylli kërkoi nga z. Rynkowski që partnerët ndërkombëtarë ta ndihmojë Shqipërinë, duke nisur nga seminaret, informacionet, trajnimet, ashtu si edhe një sasi kitesh anti-dopingu, që KOKSH dhe federatat të kenë mundësi të testojnë sa më shumë sportistët shqiptarë në mënyrë periodike.
Zyrtari i WADA-s premtoi se nga ana e këtij institucioni, por edhe POLADA-s do të ketë asistencë në çdo drejtim për anti-dopingun shqiptar.