Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli, zhvilloi një vizitë në Kampin e Refugjatëve të Afganistanit, të cilët erdhën në Shqipëri dhe u vendosën në qytetin bregdetar të Durrësit.
I shoqëruar nga Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Çiklizmit, respektivisht Z. Skender Anxhaku dhe Z. Alfred Tahiraj, Presidenti Ylli u takua atje me përfaqësuesit e Lëvizjes Olimpike në Afganistan, të cilët po qëndrojnë në Shqipëri, së bashku me dhjetëra atletë cilësorë në sporte të ndryshme si boksi, çiklizmi, noti etj.
Presidenti i KOKSH shprehu interesimin e tij për këtë çështje, ku theksoi mbështetjen maksimale duke dhënë mesazhin e përfshirjes sociale përmes sportit si mënyra më e mirë për t’u integruar në shoqëri dhe për t’u ndjerë si në shtëpinë e tyre.
Për këtë arsye, shumë shpejt KOKSH do të organizojë një Ditë Olimpike me aktivitete sportive ku fokusi kryesor do të jetë integrimi i atletëve afganë.