Kukesi mes ngjyrave Olimpike dhe ato Kombetare

18 Prill, 2012

“Sporti dhe Vlerat Olimpike”

Në qytetin e Kukësit, në datat 12-13 Prill 2012, u zhvillua aktiviteti me karakter sportiv, edukativ dhe kulturor “Sporti dhe vlerat Olimpike” në kuadër të promovimit të vlerave Olimpike, me partner: Bashkinë, Qarkun, DAR dhe QKF Kukës.

Aktiviteti u shtri në 2 ditë dhe në të u përfshinë rreth 1000 nxënës të shumë shkollave të qytetit, si të asaj të mesme “Havzi Nela” ashtu edhe të shkollave 9-vjeçare si “Avni Rustemi”, “Lidhja e Prizërenit”, “Bajram Curri”, “Riza Spahiu” dhe “1 Qershori”.

Dita e parë e aktivitetit e cila u zhvillua të enjten, me 12 Prill, pati karakter sportiv dhe edukativ ku ekipet e shkollave të ndryshme zhvilluan ndeshje volejbolli për vajza dhe ndeshje basketbolli dhe futbolli për djem, kurse ne disa shkolla të tjera u zhvilluan ese, kuice dhe piktura me temë sportin dhe Olimpizmin si dhe u shfaqën materiale filmike për LOR dhe Lojërat Olimpike “Londër 2012”.

Dita e dytë 13 Prill, ishte edhe dita kryesore e aktivitetit. Ajo nisi me krosin masiv i cili filloi nga sheshi para Xhamisë dhe përfundoi tek sheshi para Bashkisë, ku nxënësit që mbërritën të parët u pritën me duartrokitje si nga qytetarët e shumtë që po ndiqnin garën edhe nga personalitete e të ftuar. Të njëjtën rrugë ndoqën edhe garat me bicikleta dhe ato me patina.

Më pas rreth orës 11.00, tek Stadiumi i Lojrave me Dorë u zhvillua ceremonia Olimpike. Në të morën pjesë shumë të ftuar si: përfaqësues të KOKSH, përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Kukës z. Ylli Metalia, i cili edhe e përshëndeti aktivitetin me një fjalim të shkurtër, e shumë të tjerë. Të pranishëm ishin edhe qytetarë të thjeshtë, prindër, si dhe nxënës e mësues të të gjitha shkollave të qytetit, të cilët mbështetën zhvillimin e aktivitetit me duartrokitje përgjatë gjithë kohës. Nën prezantimin e Drejtoreshës së Qendrës Kulturore të Fëmijëve znj. Melita Ormri, si dhe nën drejtimin e profesor Petrit Qëndro, mbështetur edhe nga disa prej mësuesve të edukimit fizik të shkollave të qytetit, vajza dhe djem veshur me bluza të bardha dhe me ngjyra, të cilat mbanin logon e aktivitetit, realizuan tabllo të ndryshme me trupat e tyre duke filluar me atë kushtuar 100 vjetorit të Pamvarsisë. Më pas u vazhdua me disa tabllo të tjera të cilat kishin në qendër simbole Olimpike. Performancat në këngë, valle me motive popullore si dhe recitim u ndërthurën shumë bukur me demostrime të sporteve të ndryshme si: atletikë (stafetë), gjinmastikë, tërheqje litari etj, për të vazhduar më tej me lojra popullore.

Për herë të parë në një aktivitet të këtij lloji merrnin pjesë edhe fëmijët e kopshtit, të cilët me tullumbace shumëngjyrëshe në duar përshëndetën të ftuarit dhe lëshuan pëllumbat e paqes si një nga simbolet e Olimpizmit.

Aktiviteti u mbyll me fjalën përshëndetëse të përfaqësuesit të KE të KOKSH v. Viron Bezhani.

Gjatë zhvillimit të aktivitetit, nga Vodafon sponsor i KOKSH per L.O. Londër 2012, u shpërndanë kapele dhe numra telefoni.

[nggallery id=4]

 

BËHU NJË PARTNER OLIMPIK

RRETH KOKSH

logo-footer-widget-png-new22

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që nga viti 1959. KOKSH përfaqëson vlerat Olimpike në Shqipëri dhe është ndërmjetësi kryesor me komitetet e tjera Olimpike.

Na ndiqni në mediat tona sociale:
#NOCAlbania #KOKSH #TeamAlbania

2022 © Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar  |  Powered by WEBART.AL