Etapa e tretë e aktiviteteve të KOKSH me partner UNICEF “Sporti për Zhvillim” me temë “Sporti si një e drejtë njerëzore”, u zhvillua në qytetin e Burrelit në shkollën e mesme “Pjetër Budi” në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Burrelit, Zyrën Asimore si dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve të këtij qyteti. Aktiviteti u shtri në 3 ditë dhe përfshiu aktivitete të ndryshme sportive, edukative dhe artistike, të cilat e patën epiqendrën e tyre në shkollën e mesme “Pjetër Budi”, por jo vetëm në të, pasi aktivitetet u shtrinë edhe më gjerë siç ishte pjesmarrja e fëmijëve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve si dhe pjesmarrja e ekipit të të rinjëve të sportit të ping-pongut si një sport me tradita në qytetin e Burrelit. Pjesë e aktivitetit u bënë edhe vetë qytetarët e Burrelit, të cilët ndoqën me shumë interes dhe gjithashtu inkurajuan zhvillimin e tij. Për tre ditë me radhë qyteti i Burrelit u vesh me ngjyrat e Olimpizmit pasi flamurët, posterat dhe fletëpalosjet e aktivitetit ishin kudo.
Dita e parë filloi me ndërtimin e Këndit Olimpik nga nxënësit e shkollës, i cili u pasurua me materiale dhe postera të ndryshëm për Olimpizmin. Dëshira për të mësuar më shumë rreth ndihmës së parë, tërhoqi vëmendjen e shumë nxënësve të shkollës të cilët u bënë edhe pjesë e demostrimeve të ndihmës së shpejtë nga Kryqi i Kuq i qytetit të Burrelit.
Dita e dytë filloi me shpërndarjen e materialeve të pikturave për fëmijët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, me të cilat ata realizuan piktura të ndryshme me temë “Sporti në sytë e fëmijëve”, ku për pikturën më të mirë u dha një çmim simbolik. Më pas nxënës të veshur me bluze me logon “Sporti për zhvillim” kanë marrë pjesë në Quizin Olimpik, për t’ja lënë vendin demostrimeve të sportit të ping-pongut nga sportistët e ekipit të të rinjëve të qytetit.
Dita e tretë ishte dhe dita finalizuese e aktivitetit, e cila filloi me ceremoninë e ndezjes së pishtarit, për të vazhduar me realizimin e siglës “LONDËR 2012” nga djemtë e shkollës veshur me bluza të bardha e më pas, nga vajzat e shkollës u realizua një tabllo me ushtrime gjimnastikore, që përfundoi me realizimin e siglës 5 ngjyrëshe të rrathëve Olimpik. Garat sportive si stafetë, tërheqje litari, akrobaci etj. u ndërthurën bukur me numrat artistik si këngë, poezi dhe valle popullore. Aktiviteti vazhdoi me një kros masiv në të cilin morën pjesë gjithë nxënësit e shkollës. Krosi nisi nga qendra e qytetit duke përshkruar rrugën kryesore të tij nën duartrokitjet e qytetarëve, të cilët kishin mbushur rrugët për ti dhënë suport pjesmarrësve në kros. Finishi i krosit ishte përsëri shkolla “Pjetër Budi”, ku ndërkohë ekipet e volejbollit si për femra dhe për meshkuj, të veshur me uniforma sportive, si dhe të rinjtë e ping-pongut, po zhvillonin ndeshje midis tyre. Aktiviteti u mbyll nën ritmet e gëzueshëm të muzikës.