Vizitë në Olimpia

22 Nëntor, 2016

REPORTAZH/ Në vendin ku historia e tradita Olimpike, gdhenden përjetësisht

Mbresat e një vizite në …OLIMPIA

Lajtmotivi miqësi, respekt, përsosmëri, përvojë e cmuar për delegacionin shqiptar

dsc07016

 

 

Nga FATMIR EFICA

Nuk na ndodh shpesh të vizitojmë vende që na ofrojnë njëkohësisht antiken dhe modernen duke na rikthyer  pas në kohë tëk lashtësia, tradita e historia e madhe e Olimpizmit. Shteti fqinjë Greqia, i ka të gdhendura përjetësisht themelet e kësaj tradite, të ruajtura ndër shekuj, e të konkretizuar me muzetë e objektet që kanë “folenë” në Olimpia. Aty ndodhet Qendra e Akademisë Olimpike Ndërkombëtare e cila është kthyer në simbol të sportit të së shkuarës dhe jo vetëm. Teksa endesh në ambientet e kësaj qendre, natyrshëm të lind një lajtmotiv frymëzues për të gjithë sportistët dhe komunitetin e gjërë, por edhe mirënjohje ndaj atyre që me punë e sakrificë por po aq me thjeshtësi e modesti , vënë në dispozicion shumëcka nga jeta e tyre në shërbim të sportit.

VIZITA – Ishte tejet interesante dhe për t’u vlerësuar nisma e KOKSH për një vizitë 3 ditore në Olimpia,në kuadër  të projektit “Edukimi Olimpik”. Jo më larg se disa ditë më parë, u nis grupi i dytë me njerëz të përzgjedhur nga 16 rrethe e qytete të vendit, shumica prej të cilëve mësues të dalluar të lëndës së edukimit fizik, por edhe specialistë, inspektorë apo drejtorë të ZA-ve dhe DAR-ve. Dukej një delegacion i mirë harmonizuar  dhe tejet përfaqësues, si nga shtrirja gjeografike ashtu edhe nga roli i gjithësecilit në misionin e përbashkët për të edukuar vlerat olimpike tek brezat e rinj në të gjithë vendin. Një vemendje të vecantë natyrisht kishin edhe femrat, numri i të cilave ishte i konsiderueshëm duke pasur parasysh që gjithnjë kanë ditur të sjellin kontribute për tu vlerësuar në zhvillimin e sportit në të gjitha nivelet e tij.

UDHETIMI – Autobuzi që niset nga Tirana drejt Kakavijës “mbledh” me ndalesat nëpër qytete, edhe pjestarët e delegacionit. Kilometrat e përshkuar nga Shqipëria në Olimpia drejt Qendrës së Akademisë Olimpike Ndërkombëtare kalojnë pa u ndjerë, thuajse më një “frymë”. Endrra për të qenë për mbi 60 orë në një qytet që ndodhet në “zemër” të Greqisë, 19 kilometra afër Pirgos,  të josh fort. Sapo mbërrin në qytezën Olimpia, të shfaqen para syve kushtet ideale të një amfitetari gjigand sporti. Aty të mbërthejnë emocionet e nuk di nga të ja fillosh me shuarjen e kuriozitetit për gjërat e panjohura. Një program i mirë ideuar të ndihmon të kuptosh dy stilet e jetës sportive që konkretizohen në mënyrë harmonike me njera-tjetrën. E shkuara është aq prezent në të tashmën moderne , saqë asnjehërë nuk mund të mendohet pa traditen shekullore qe na sjell në ditët e sotme vlerat sportive.

Nga alternimit të këtij “binomi” nuk është e vështirë të ambientohesh me jetën në Olimpia. Edhe pse një sezon vjeshtor, natyra ndërthur bukur të gjithë elementët e saj që zbukurojnë më shumë investimet njerëzore të mirë menduara.

Vëren gjithashtu dorën e investimeve me bazament që të servir ambienti, jo vetëm prej bukurisë e hijeshisë së natyrës e të kryera me largpamësi.

TRADITA – Në një kompleks të tillë sportiv nuk  mungon asgjë…Të duket sikur “udhëton” në kohë mbi  muzetë historikë që ke para syve, teksa gjithë vemëndjen e rrëmben informacioni i detajuar që të serviret i trashëguar në mënyrën më të mirë mes brezave. Shumëllojshmëria e shtrirjes së sporteve kolektive e individuale, “heronjtë” e protaginistët e gdhendur në kujtesë, bëhen të prekshëm. Ja pse udhëtimi për në Olimpia e justifikon plotësisht përmbajtjen e shuarjes së kureshtjes duke mësuar plot të “fshehta” nga historia. Në atë moment të vjen në mend misioni që këtë përvojë kaq të rëndësishme ta reflektosh po aq mirë dhe bukur edhe në vendin tënd, aty ku sporti ynë ka vërtetë nevojë për të tjerë hapa zhvillimi e progresi.

SEMINARI – Për ta mbajtur mend gjatë këtë vizitë në Olimpia, është llogaritur këndshëm zhvillimi i seminarit me temë: Organizimi i veprimtarive sportive me frymë Olimpike”. Salla moderne e Konferencave e Akademise Olimpike Ndërkombëtare e vënë në dispozicion, përgatitja e lektorëve, shfaqja në monitor e aktiviteteve të kryera gjatë viteve të fundit në Shkodër, Tiranë, Lushnje, Ballsh, Kavajë, Elbasan, etj. i jep seriozitetin e duhur vizitës së punës në Olimpia. Specialisti i mirënjohur i Edukimit Fizik dhe Sportit Petro Qendro nënvizoi disa orientime të qenësishme në ligjeratën e tij që u ndoq me shumë vëmendje. Olimpizmi është filozofia e jetës që bashkon dhe kombinon në tërësi cilësitë e trupit, vullnetit dhe mendjes duke e ndërthurur sportin aq bukur me kulturën dhe shëndetin. Motoja “leviz, mëso, zbulo”, në javët e ditët Olimpike të zhvilluara në Shqipëri në shumë qytete, ka bërë bashkë traidicionalen me modernen.

PREMTIMI – Disa propozime që erdhën natyrshëm, morën trajtën e premtimeve konkrete. Do të sensiblizohet ideja dhe mundësitë që Apolonia në Fier, Bylis në Mallakastër, Kalaja e Rozafës në Shkodër, Kalaja e Bashtovës në Kavajë të shndërrohen në destinacionet e Javëve dhe Ditëve Olimpike. Pa nenvleftësuar kurrsesi vende të tjera të mundshme e të bukura që ka kudo në Shqipëri dhe ku mund të organizohen aktivitetet sportive. Sipas shumicës së pjestarëve të delegacionit shqiptar në Olimpia, mund të jenë këto vende me aq shumë resurse të traditës e historisë që plotësojnë kushtet e ku ka mundësira të marr jetë e të zhvillohet stili i një trashigimie sportive si ajo në Olimpia të Greqisë, për tu kthyer pse jo edhe këto qytete në arena të Olimpizmit shqiptar.

SPORTI – Edhe pse qenë të pakta orët e kohës së lirë, nuk mungoi  organizimi spontan i disa ndeshjeve në volejboll, basketboll, minifutboll, shah, pingpong, etj.

Të ndarë në grupe të vogla, gjithëkush gjeti vendin e kohën të ushtrohet me pasionin që e karakterizonte. Ta impononin natyrisht kushtet ti riktheheshe dëshirës që të bëje drejtpërdrejt lojtari(e)n, apo arbitri(e)n. Përmes edhe shumë batutave ndeshjet sollën një tjetër kënaqësi më shumë të stileve e përvojave të ndryshme të ndërtimit të skuadrës mbi bazën e njohjes së parë direkt në kushte loje. Nuk mungonin më pas edhe komentet e analizat e ndryshme reflektuese në oraret e uljes për ngënie, apo në dhomat komode të pushimit.

VLERËSIMI – Aktivitet i vecantë në llojin e tij që na vlejti shumë, u shpreh mësuesja Eglanina Cuni nga Elbasani, e cila vlerësoi si një përvojë të mirë edhe modelet e paraqitura prej kolegëve. Veprimtaritë olimpike, sipas prof. Petro Qendros janë festa ku masiviteti, numrat, figuracionet shërbejnë si ABC e praktikës së të gjitha veprimtarive fizike. Xhorxhi Lekbello nga DAR Tiranë pohon se aktivitetet e larmishme në kryeqytet e rrethinat e tij, kanë patur si bazë eksperiencën pozitive të grumbulluar në vite. Edmond Karanxha nga shkolla “Fan S.Noli” Tiranë tregon se si bëhet përzgjedhja specifike e sporteve dhe mbi të gjitha përmirësimin e infrastrukturës duke ngritur së fundmi një palestër moderne inaguruar vetëm pak kohë më parë. Ish-futbollisti i Vllaznisë Endri Caku paraqiti argumente mjaft interesante për traditën e madhe sportive në Shkodër,një qytet me gen të mirfilltë olimpik. Bardhok Pulaj nga DAR Lezhë nënvizoi rikthimin e vëmendjes te masiviteti e larmishmëria e sporteve për gjallërimin e jetës olimpike në shkolla. Brunilda Dhamo nga DAR Fier dhe Gentian Dërvishaj nga ZA-Mallakastër, propozuani se në Apoloni dhe Bylis vendet janë ideale për t’u orgaizuar së shpejti Ditët Olimpike me dimension mbarkombëtar. Aktivitetet olimpike janë gërshëtuar mirë edhe informacionin e ndërsjelltë, për të plotësuar jo vetëm me ide por mbi bazë praktikimi të aktiviteteve të parealizuara më parë theksoi mësuesja Nina Bano.

MBRESA – Takimi në Olimpia do mbetet i paharruar për delegacionin sportiv shqiptar. Jo vetëm në aspektin profesional mbi kënaqësinë e përfitimit dhe shkëmbimit të përvojave në interes së përmirësimit të punës së përditshme por edhe në evidentimin e anëve të panjohura që kush më shumë se njerëzit që meren me sport dinë ti shpalosin. Duket se morën miratim shumë ide konkrete për zbatimin e programeve dhe praktikave sportive. Një falenderim i merituar për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar nga delegacioni që këto momente të vecanta, i fiksuan në celuloid për të jetuar gjatë.. Ishte një triditësh me mbresa të pashlyeshme…

 

 

BËHU NJË PARTNER OLIMPIK

RRETH KOKSH

logo-footer-widget-png-new22

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që nga viti 1959. KOKSH përfaqëson vlerat Olimpike në Shqipëri dhe është ndërmjetësi kryesor me komitetet e tjera Olimpike.

Na ndiqni në mediat tona sociale:
#NOCAlbania #KOKSH #TeamAlbania

2022 © Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar  |  Powered by WEBART.AL