Me ftesë të presidentit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar z. Thomas Bach zhvilloi të dielën një vizitë në Tiranë.
I shoqëruar nga anëtari i bordit ekzekutiv të IOC-së, Sergei Bubka dhe zyrtarë të tjerë, Bach e Ylli takuan në fillim kryetarin e Bashkisë, z. Erjon Veliaj. Kryetari i bashkisë pasi i bëri një panoramë për Tiranën moderne konfirmoi mbështetjen për sportin dhe për lëvizjen olimpike.
Zoti Bach tha se ndihet i privilegjuar që vjen në Shqipëri dhe që Bashkia Tiranë e mbështet Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Zoti Ylli falënderoi mikun gjerman dhe kryetarin e Bashkisë për mbështetjen që i është dhënë olimpizmit. Z. Veliaj i dhuroi Z. Bach kullën e sahatit. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar i ktheu mirënjohjen, duke dhënë një dhuratë të veçantë, 300 prej të cilave janë prodhuar në të gjithë Botën.
Takimi i dytë ka qenë në kryeministri, ku Kryetari i Këshillit të Ministrave z. Edi Rama priti zotin Bach dhe delegacionin ndërkombëtar. Mes tre drejtuesve u fol për bashkëpunimet e ardhshme dhe për projektet që do të forcojnë lëvizjen olimpike në vendin tonë.
Ndalesa e tretë e z. Thomas Bach, së bashku me Kryeministrin, z. Rama dhe presidentin, z. Ylli, ishte në KOKSH ku morën pjesë në inaugurimin e zyrave e reja të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Para mediave, zoti Bach falënderoi qeverinë shqiptare dhe presidentin e KOKSH për mikpritjen dhe punën e bërë.
“Jam i lumtur që shohim ndryshimet në sportin shqiptar, ndërsa duhet të merret shembull nga progresi në KOKSH si dhe kam kënaqësinë të shoh se Komiteti Olimpik dhe qeveria punojnë ngushtë së bashku”, tha Bach.
Zoti Rama e konsideroi privilegj vizitën e Presidentit të IOC, z. Bach.
“Është një vizitë e një rëndësie të jashtëzakonshme. Na vjen shumë mirë që ndamë me presidentin disa nga rezultatet e para të procesit të ri-themelimit të lëvizjes olimpike në shkolla. Duam të kemi fëmijë të shkëputur nga kompjuterat, nga bota virtuale e “smartfonëve” dhe të shoqërizohen në botën reale të aktivitetit sportiv”, deklaroi Rama, duke falënderuar zotin Thomas Bach dhe shpresuar që ai do të rikthehet sërish në Shqipëri.