Në Durrës u zhvillua trajnimi mediko-morfo-fuksional, organizuar nga projekti “Ekipet Sportive 2022”. Për dy ditë, 31 pjesëmarrës nga qarku Durrës dhe qytete të tjera të Shqipërisë janë specializuar teorikisht dhe praktikisht mbi matjet mediko-morfo-funksionale, që drejtuesit duhet të kryejnë gjatë ndërtimit të 750 ekipeve të volejbollit dhe basketbollit në të gjithë vendin.
Në këtë organizim morën pjesë, 22 mësues dhe trajnerë nga qarku i Durrësit si dhe 9 të tjerë nga qytetet Përmet, Gjirokastër, Elbasan, Burrel e Berat.
Pjesëmarrësit në ditën e parë u njohën në teori me mënyrën e organizimit dhe matjeve mediko-morfo-funksionale. Në ditën e dytë u demonstrua në praktikë procesi i matjeve të sportistëve, të cilët do të jenë pjesë e skuadrave të basketbollit dhe volejbollit që do të ndërtohet në çdo shkollë të Shqipërisë.
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli pa nga afër mënyrën trajnimit të mësuesve dhe trajnerëve, që do të jenë pjesë e projektit “Ekipet Sportive 2022”.
Projekti “Ekipet Sportive 2022” ka nisur implementimin në të gjithë vendin falë KOKSH dhe qeverisë shqiptare për rilindjen e sportit në shkolla.