Në kuadër të përforcimit të marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimit në projekte të përbashkëta dhe ideve për zhvillimin e Lëvizjes Olimpike, përfaqësuesit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Komitetit Olimpik Malazez zhvilluan takim të përbashkët.
Presidenti i KOKSH z. Fidel Ylli shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm Stavri Bello, Menaxheri i Projekteve Sportive Kliton Muca, Menaxhere e Marketingut, Medias dhe Marrëdhënieve me Ndërkombëtarët Luna Methasani dhe Menaxherja e Financës Merita Guraziu, ndërsa Komiteti Olimpik Malazez përfaqësohej nga Presidenti Dusan Simonovic, Sekretari i Përgjithshëm Igor Vusurovic dhe Menaxherja e Marrëdhënieve me Ndërkombëtarët Maja Pekovic.
Temat e diskutimit dypalësh ishin të ndryshme, që përfshijnë:
- Bashkëpunimi institucional
- Shkëmbimi i eksperiencave në fushën e sportit
- Sportistët
- Trajnerët
- Kampe të përbashkëta stërvitore
- Kurse të Administrimit Sportiv
- Bashkëpunimi mes Federatave të ndryshme sportive
- Projekte të përbashkëta rajonale.
Dy Presidentët diskutuan mbi përgatitjet për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, ndikimet e pandemisë globale, por edhe sfidat e zhvillimit të sportit në të dy vendet.
Komitetet Olimpike pritet të nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi së shpejti në Tiranë.
Në fund u shkëmbyen edhe dhurata mes palëve.