Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka zhvilluar këtë të hënë dt 27/02/2017, Seminarin me Federatat Sportive ku në një tryezë të rrumbullakët u prezantuan Programet e Solidaritetit Olimpik 2017-2020. Të pranishëm në Seminar ishin rreth 30 Federata dhe Shoqata Sportive anëtare të KOKSH , Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH , përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit , si dhe media kombëtare.
Në fjalën e tij Presidenti i KOKSH z. Viron Bezhani pohoi se Programi i Bursave është shumë i rëndësishëm, por përvec këtij programi, KOKSH ka përfituar edhe nga programe të tjera të Solidaritetit Olimpik. Ne do të vazhdojmë të vendosim theksin edhe në barazinë gjinore në sport, – tha ai, ashtu sikurse KOKSH i shërben sportistëve të rinj, kualifikimit të trajnerëve, ndërsa u bëri thirrje Federatave të jenë më aktive në Javën Olimpike. Ndërsa zv Ministri I MAS z. Rauf Dimraj ka nënvizuar kontributin e KOKSH në zhvillimin e sportit me organizimin e eventeve masive dhe theksoi rëndësinë e Edukimit Olimpik në shkollë.
Bursat Olimpike, përgatitja profesionale e Trajnereve, trajnimet e Administratoreve Sportiv dhe Promovimi I Vlerave Olimpike kanë qënë 4 temat në fokus të tryezës së organizuar nga KOKSH. Federatat Sportive u njohën me kriteret apo kërkesat që duhet të plotësojnë për të përfituar nga këto programe .Nëpërmjet Solidaritetit Olimpik, KOKSH ka parashtruar disa alternativa që ju vijnë në ndihmë zhvillimit dhe përmirësimit të mënyrës së menaxhimit të Federatave. Ka qënë vetë Sekretari i Përgjithshem i KOKSH, z. Stavri Bello që ka shpjeguar Programin e Solidaritetit Olimpik duke e ndarë atë në 3 tema:
- Bursat Olimpike dhe Përgatitja e Sportisteve nga z.Kliton Muca
- Menaxhimi dhe aftësimi i Federatave nga z. Stavri Bello
- Promovimi i Vlerave Olimpike nga zj. Eda Caushi
Programi 4 vjecar i Solidaritetit Olimpik është mbështetës për të gjitha sportet ndërsa shumë shpejt pritet të organizohen edhe shkëmbime ekspreriencash në rajon e më gjerë në kualifikimin e trajnerëve dhe kuadrit drejtues. KOKSH ka kërkuar nga Federatat që të rrisin pjesëmarrjen në kurset e administratorëve sportive, sidomos sportistët që në të ardhmen mund të jenë trajnerë të aftë dhe të zhvillojnë një karrierë tjetër.
Për herë të parë Bursat Olimpike Tokio 2020 nisin 3 vjet përpara ndërsa u rikujtuan edhe 3 skiatorët shqiptarë që tashmë kanë përfituar nga Bursat Olimpike për përgatitjen në Pyeongchang 2018.
Sekretari I Përgjithshem I KOKSH ka shpjeguar për Federatat Sportive se nga Bursat do të përjashtohen sportistët që janë penalizuar nga përdorimi i substancave të ndaluara ndërsa tha se Programet e Solidaritetit gjenden ne platformën online.
Federatat pjesëmarrëse u njohën gjithashtu me aktivitetet e ardhshme:
- Festivali Rinor Olimpik Europian GYOR 2017
- Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018
- Lojërat Olimpike Rinore BuenosAires 2018
Pas tryezës së rrumbullakët, Semimari vijoi me një workshop, ku KOKSH kërkoi nga Federatat Sportive të evidentojnë nevojat e planifikuara me program afatgjatë 4 vjecar, qoftë në trajnimin e trajnerëve, sportistëve, programit të promovimit të vlerave olimpike dhe administrimin në nivele drejtues. Ky workshop shërbeu për të kuptuar më mirë nivelin në të cilin ndodhen Federatat Kombëtare por edhe si nxitje për zhvillimin e ideve të reja nga drejtuesit për të organizuar aktivitetet e rradhës. Bashkëbisedimet dhe shkëmbimet e eksperiencave mundësuan që KOKSH të sigurojë një feedback për të përmirësuar bashkëpunimin disavjecar në promovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sportit, jo vetëm në vend por edhe në arenën ndërkombëtare.