Sot, ditën e Mërkurë, 06 Prill 2020, ora 10:00, nën drejtimin e kryetarit të Komisionit Teknik të KOKSH u zhvillua mbledhja e radhës për të diskutuar disa cështje me rëndësi lidhur me aktualitetin duke marrë në konsideratë edhe situatën e shkaktuar në sport.
Për shkak të situatës, kjo mbledhje u zhvillua online me anë të platformës Zoom.
Anëtarët e Komisionit Teknik diskutuan mbi pikat e rendit të ditës si më poshtë
Rendi ditës
1. Mbi situaten aktuale te sportisteve ne lidhje me Coronavirusin
2. Vleresimi i ecurise se bursave Olimpike
3. Diskutim mbi programin e KOKSH te Talenteve te Reja
4. Diskutim mbi zgjerimin e mbeshtetjes se sportisteve me bursa
5. Diskutim mbi udhezimin e perbashket te ministrive dhe kriteret e kategorizimit
6. Te ndryshme
Në këtë mbledhje u theksua fakti që fatmirësisht nuk ka patur sportistë të prekur me Covid-19, përvec rasteve të dy trajnerëve: Erind Cara në xhudo që e kaloi me sukses dhe tjetri Skënder Kurti në boks i cili fatkeqësisht nuk ia doli dot.
Kjo situatë e Covid-19 ka ndikuar jo vetëm në zhvillimin e aktiviteteve fizike por gjithashtu edhe tek gjendja fizike e sportistëve. Pavarësisht kushteve, sportistët janë munduar në kushte shtëpie të mbajnë formën e tyre apo disa të tjerë duke krijuar kushte me të favorshme për një stërvitje më reale. Një problem tjetër u theksua mungesa e aktiviteteve garuese që i konfuzon sportistët për të vendosur objektiva dhe përcaktuar saktë uljen dhe ngritjen e ngarkesave stërvitore.
Lojërat Olimpike tashmë janë shpallur nga IOC që do të mbahen vitin tjetër në 23 Korrik – 8 Gusht 2021. Kjo shtyrje gjithashtu ka ndikuar në riskedulimin e kalendarit të Federatave Botërore lidhje me garat kualifikuese për Tokyo 2020.
Në vijim, Komisioni diskutoi në tërësi për bursat Olimpike Tokyo2020 dhe shprehu nevojën e një vlerësimi teknik për ecurinë e deritanishme e cila do tju kërkohet Federatave përkatëse.
Gjithashtu, u propozua që të vijojë mbështetja e disa sportistëve që kanë nisur rrugëtimin për kualifikimin në Lojërat Olimpike Tokyo 2020 dhe që kanë patur progres e kanë mundësi reale për një kualifikim të mundshëm. Kjo listë e sportistëve i bashkëngjitet listës së sportistëve që përfitojnë nga bursa Olimpike Tokyo2020.
Në këtë situatë të pandemisë, ti mbështesim dhe ti japim një motivim duke i inkurajuar që të vazhdojnë.
Si një pikë të rëndësishme, anëtarët e Komisionit diskutuan mbi propozimin e shpalosur nga Kryetari I Komisionit Teknik z. Pëllumbi për një program të Talenteve të Reja në kuadër të krijimit të premisave të një brezi të ri që në të ardhmen të jenë sportistët e elitës për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.
Do të jetë një program identifikimi, motivimi dhe inkurajimi për sportistët e rinj që të gjejnë një mbështetje dhe talenti i tyre të vlerësohet ndryshe nga sportistët e tjerë. Si objektiva të afërta, me këto talente, do të synohet që të jenë pjesë e Ekipit Olimpik Rinor në aktivitetet Festivali Olimpik Rinor Europian dhe Lojërat Olimpike Rinore të cilat do të zhvillohet të dyja në vitin 2022, por njëkohësisht mund të jenë kontigjent për Lojërat Mesdhetare në vitin 2022 dhe më tej duke synuar Paris 2024…etj.
Komisioni Teknik do ti paraqesë Komitetit Ekzekutiv të KOKSH në mbledhjen e radhës këtë projekt për miratim.
Anëtarët e Komisionit diskutuan edhe mbi udhëzimin e perbashkët të ministrive dhe kriteret e kategorizimit, por për këtë pikë u propozua që ky të jetë një diskutim më i gjerë nga ku do të merren opinionet nga Federatat Sportive dhe do të adresohen cështjet drejt MASR.
Ndër pikat e ndryshme u përmend iniciativa për të organizuar Kurs për Administratorë Sportivë me target sportistët aktivë si një mundësi për ata që të shfrytëzojnë këtë kohë dhe të përfitojnë njohuri në menaxhimin sportiv.
Gjithashtu, Komisioni Teknik do ti drejtohet Federatave për të aplikuar për kurse kualifikimi për trajnerë me ekspertë të Federatave Botërore, duke vlerësuar gjithashtu mundësinë e organizimit të tyre në këtë situatë të masave kufizuese.