Këshilli i Lartë i Sportit zhvilloi mbledhjen e parë, në drejtimin e Ministres së Arsimit dhe Sporteve, znj. Evis Kushi dhe pjesëmarrjen e kreut të Komitetit Olimpik Kombëtar, z. Fidel Ylli, krerëve të disa federatave sportive e anëtarëve të tjerë të organit më të lartë këshillimor për hartimin e politikave sportive në rang vendi.
Zonja Kushi në fjalën e saj, konfirmoi mbështetjen për sportin, si dhe deklaroi se çdo investim në infrastrukturë do të bëhet sipas standardeve që kërkon disiplina sportive.
Kreu i KOKSH-it, z. Ylli falënderoi ministren për ftesën e mbështetjen si dhe kërkoi nga qeveria më shumë investime nga buxheti i shtetit. Sipas presidentit të Komitetit Olimpik, Ligji i Sponsorizimeve dhe rikthimi i basteve sportive do të ndihmonin shumë sportin të zhvillohej, ndërsa nuk la pa përmendur eventet e mëdha të peshëngritjes, futbollit që kanë promovuar më së miri Shqipërinë, duke i sjellë edhe të ardhura në buxhetin e shtetit. Në këtë linjë ai tha se sporti duhet të ketë vëmendje të veçantë nga qeveria.
Edhe pjesëmarrës të tjerë vunë theksin te lehtësirat që do të vinin nga ligji i sponsorizimeve dhe i basteve sportive.
Ministrja konfirmoi se për Ligjin e Sponsorizimeve ka një draft që duhet të përfundohet pas një pune shumëpalëshe, ndërsa për bastet duhet një konsultim më i gjerë, që të mos përsëritet katrahura e së shkuarës.