Presidenti i KOKSH-it, z. Fidel Ylli dhe ai Federatës Shqiptare të Çiklizmit, z. Skënder Anxhaku dolën para mediave pas mbylljes së Turit të 79-të Çiklistik ku fitues doli sportisti i ekipit kombëtar shqiptar, Ylber Sefa.
Të dy drejtuesit falënderuan sportistët pjesëmarrës për paraqitjen në garë, Policinë e Shtetit dhe Bashkitë që mirëpritën karvanin e çiklistëve. Nga ana tjetër, zoti Ylli përgëzoi zotin Anxhaku për organizimin e Turit dhe u shpreh i bindur për të ardhmen e këtyre djemve.
Presidenti i Federatës së Çiklizmit kërkoi nga pushteti vendor më shumë përkrahje që ky sport të ecë përpara, ndërsa këto lloj aktivitetesh duhen parë edhe si promovim për turizmin e vendit tonë.
Zoti Ylli tha se me ide të mira dhe mbështetje nga pushteti vendor e çdo gjë ecën përpara, ndërsa zbuloi projektin e ri të një piste BMX-i te Kodrat e Liqenit.
Turi i Shqipërisë këtë edicion vlerësohej me pikë nga UÇI që kishte dërguar në këtë garë një komisar për të mbikëqyrur aktivitetin.