Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli vizitoi zyrat e “World Taekwondo” dhe zhvilloi një takim me presidentin, z. Chungwon Choue.
Kreu i KOKSH shoqërohej nga zëvendësministri i sporteve, z. Endrit Hoxha, “mjeshtër” Kim Yong Ki, dhe sekretari i përgjithshëm i KOKSH, z. Gerti Shima.
Zyrtarët shqiptarë biseduan me mikpritësit koreanë për mundësinë e ndërtimit në Shqipëri të një qendre trajnimi “World Taekwondo” dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit të universiteteve koreane me ato shqiptare.
Presidenti i KOKSH dhe zëvendësministri kërkuan që vitin tjetër, në Shqipëri, të zhvillohet Kampionati Botëror i taekwondo-së “World Women Championship 2023”.
Drejtuesit e sportit shqiptar theksuan nevojën për mbështetjen e sportistëve tanë me trajnime, zhvillimin e taekwondo-së në shkolla, si dhe kërkuan mbështetje me bazë materiale e elektronike për të ndihmuar këtë sport që të ecë përpara.
Presidenti i Komitetit Olimpik ftoi drejtuesit e “World Taekwondo” që në një të ardhme të afërt të vizitojnë Shqipërinë.