DEKLARATE E KOMITETIT EKZEKUTIV TE KOKSH

6 Janar, 2020

Tiranë, 6 Janar 2020

DEKLARATË PËR MEDIA

Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar(KOKSH) sqaron opinionin publik dhe atë sportiv mbi qëndrimet dhe veprimet e z. Viron Bezhani, të cilat vetëm se kanë sjellë një situatë të pa precedentë duke përbaltur imazhin dhe reputacionin e KOKSH ndaj opinionit publik, partnerëve ndërkombëtarë dhe ata kombëtarë.

Komiteti Ekzekutiv i KOKSH distancohet kategorikisht nga deklaratat, qëndrimet dhe sulmet e z. Bezhani ndaj Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

Komiteti Ekzekutiv i KOKSH konfirmon se qëndrimet e z. Bezhani nuk janë qëndrimet e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, por vetëm qëndrime personale të tij.

Komunikimi i IOC drejtuar Komitetit Ekzekutiv të KOKSH është komunikim dhe qëndrim zyrtar i IOC. Është e turpshme, aspak etike dhe profesionale të konsiderosh komunikimet e IOC si personale. (bashkëngjitur komunikimi i IOC drejtuar KE)

Komiteti Ekzekutiv dëshiron të sqarojë se ishte vetë z. Bezhani që në muajin Prill 2019 ka kërkuar ndërmjetësimin e IOC, ndërkohë që tashmë deklaron se IOC po ndërhyn në punët e brendshme KOKSH. (bashkengjitur 10 pikat e marrëveshjes Prill 2019)

IOC është autoriteti suprem i Lëvizjes Olimpike mbarëbotërore dhe të gjitha Komitetet Olimpike Kombëtare ndjekin dhe zbatojnë politikat dhe udhëzimet e tij.

Për KOKSH, IOC është partneri dhe financuesi kryesor në mbështetje të zhvillimit të Lëvizjes Olimpike në Shqipëri, mbështetësi kryesor në ndihmë të sportistëve, si dhe projekteve të ndryshme për zhvillimin e sportit në vendin tonë.

Përpjekjet e z. Bezhani kanë nisur fillimisht me tentativën e tij për të denigruar figurën e Sekretarit të Përgjithshëm me anë të së cilës pretendonte të merrte kompetencat ekzekutive të KOKSH në shkelje të plotë të Statutit të KOKSH dhe duke vijuar më pas sulmin ndaj shumicës së anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, duke mos respektuar demokracinë vendimmarrëse.   

Dënojmë dhe e konsiderojmë të ulët dhe aspak etike gjuhën e përdorur të z. Bezhani ndaj Anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv duke na etiketuar si “bandë”. Deklarojmë se cdonjëri prej nesh ka integritetin dhe personalitetin moral e professional, dhe kurrsesi nuk mund të pranojmë një komunikim të tillë. Theksojmë se kontributi ynë në Komitetin Ekzekutiv të KOKSH është plotësisht mbi baza vullnetare dhe aspak e imponuar apo mbi baza interesi.

Komiteti Ekzekutiv i KOKSH, pretendimet e z. Bezhani  në lidhje me mbarimin e mandatit të disa prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv dhe aq më tepër zëvendësimin me të tjerë, e konsideron të pa precedent, tërësisht e pa bazuar në Statut dhe Rregulloren e brendshme të KOKSH, ndërkohë që kjo e drejtë  i takon vetëm  Asamblesë së Përgjithshme të KOKSH.  

Me përgjegjshmëri të plotë dhe angazhim institucional konfirmojmë se Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH nuk kanë ndryshuar, por janë të njëjtët që ka zgjedhur Asambleja e Përgjithshme e KOKSH e vitit 2017. Madje, konfirmojmë se jemi duke vazhduar angazhimet që na njeh e drejta e ushtrimit të funksioneve vullnetare në Komitetin Ekzekutiv të KOKSH, po ndjekim dhe monitorojmë situatën e pa precedent të krijuar nga z. Bezhani, si dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me anëtarët e Asamblesë së KOKSH dhe IOC për zgjidhjen e ngërcit të krijuar.

Deklarojmë me përgjegjshmëri morale dhe etike që Komiteti Ekzekutiv i KOKSH ka marrë vendime vetëm në interes të sportistëve dhe sportit në Shqipëri.

Komiteti Ekzekutiv i KOKSH

BËHU NJË PARTNER OLIMPIK

RRETH KOKSH

logo-footer-widget-png-new22

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që nga viti 1959. KOKSH përfaqëson vlerat Olimpike në Shqipëri dhe është ndërmjetësi kryesor me komitetet e tjera Olimpike.

Na ndiqni në mediat tona sociale:
#NOCAlbania #KOKSH #TeamAlbania

2022 © Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar  |  Powered by WEBART.AL