Një ditë përpara ceremonisë së hapjes të të parave Lojëra Evropiane në Baku, Presidenti i Komitetit Olimpik Evropian, Patrick Heckey foli me entuziazëm për gjithçka Azerbajxhani ka realizuar në vetëm 30 muaj. Një investim spektakolar rrit pritshmërinë mbi premierën e këtij evenimenti kontinental. Madje ai deklaroi se Azerbajxhani është gati edhe për të mirëpritur Lojërat Olimpike në një të ardhme. Presidenti Heckey i është përgjigjur pyetjeve të shumta të shtypit ndërkombëtar mbi tërheqjen e Holandës nga organizimi i Lojërave Evropiane të 2019-s, duke deklaruar se kjo nuk ndikon aspak mbi atmosferën fantastike që është krijuar në prag të startit të evenimentit në Baku. Sipas tij Komiteti Olimpik Evropian ka gati dy kandidatura të tjera për edicionin e dytë të këtij evenimenti, qytete që janë ndër pesë kandidaturat që më parë, garuan për mirëpritjen e edicionit 2015. Sipas tij shumë shpejt do të përcaktohet edhe vendi mikpritës i edicionit 2023. Sipas z.Heckey, “Baku 2015” do të përcillet në mbarë kontinentin, madje do të transmetohet edhe në kontinentet e tjerë. “Fillimisht mediat ngurruan, sepse është diçka e re dhe nuk kishin të sigurt përqindjen e lartë të audiencës”- tha ai. Por sipas z.Heckey tashmë të gjitha shtetet do të mund të ndjekin këto lojëra nëpërmjet televizioneve të tyre. Presidenti i Komitetit Olimpik Evropian ka falënderuar Armeninë për pjesëmarrjen, si edhe azerbajxhanasit për mikpritjen ndaj armenëve, pavarësisht konfliktit që ekziston mes dy vendeve.
Në kuadër të “Baku 2015”, Azerbajxhani ka shpenzuar rreth 1,1 miliardë euro (sipas shifrave zyrtare) për infrastrukturën e nevojshme, një investim kolosal dhe mjaft mirë i realizuar. Janë plot 8000 vullnetarë që punojnë me orar të zgjatur, që gjithçka të shkojë në mënyrë të përkryer. Nga pritja në aeroport, e deri tek udhëzimet me të zakonshme, vullnetarët kujdesen për mbarëvajtjen e të gjitha procedurave. Siguria është në nivele maksimale, si në “Fshatin e Sportistëve” ku do të akomodohen gradualisht 6000 sportistët dhe delegacionet (7351 shtretër), ashtu edhe në “Fshatin e medias”, ku do të akomodohen mbi 1000 gazetarë dhe operatorë. Fluksi i mbërritjeve ka qenë mjaft i lartë, një ditë përpara ceremonisë së hapjes. Ajo do të startojë në orën 21:00 (18:00 në Shqipëri) në Stadiumin Olimpik, një impiant që ka kushtuar mbi 500 milionë euro, me 68 mijë vende. Lojërat Evropiane “Baku 2015” do të transmetohen Live dhe Ekskluzivisht nga Tring Digital.
Delegacioni shqiptar.
Delegacioni shqiptar ka mbërritur në Baku në orët e para të ditës së sotme (11 qershor) dhe është akomoduar në Fshatin e Sportistëve. Sipas Shefit të Misionit Kliton Muça, gjithçka ka vijuar në mënyrën e duhur, me një mikpritje mbresëlënëse dhe një atmosferë mjaft pozitive. Sot është zhvilluar dhe ceremonia e mirëseardhjes së sportistëve, brenda mjediseve të Fshatit te Sportistëve. Sportistët kuqezi, të cilët do të garojnë që në ditët e para të Lojërave, janë Ada Demneri dhe Halil Marqeshi, ata do të fillojnë stërvitjen që në ditën e ceremonisë së hapjes së evenimentit. Halil Marqeshi do të jetë sportisti i parë kuqezi që konkurron në këto lojëra, ai do të garojë në datën 13 qershor. Karateisti do të marrë pjesë në disiplinën “Kumite”, pesha deri 60 kg. Ada Demneri do të konkurrojë në sportin e Taekwondo ( pesha -57 kg) në datën 17 qershor. Sportistët e tjerë kuqezi do t’i bashkohen ekipit në ditët në vijim, për shkak të kalendarit të garave të tyre (Gazetari :Grigor Nikolla)